Shën Françesku lindi rreth viteve 1181–1182 në Asizi të Italisë, në një familje të pasur tregtarësh. Në rini jetoi mes privilegjeve dhe një jete të rehatshme, por më pas zgjodhi të hiqte dorë nga pasuria dhe t’i kushtohej një jete të thjeshtë, pranë të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve të përjashtuar nga shoqëria.
Zgjedhja e tij ishte radikale për kohën: t’i shihte njerëzit përtej statusit, pasurisë apo rolit që shoqëria u kishte caktuar. Të njëjtin vështrim ai e drejtoi edhe ndaj natyrës, të cilën e konsideronte pjesë të jetës dhe jo diçka për t’u zotëruar.
Françesku u bë themeluesi i Urdhrit Françeskan dhe një nga figurat më të rëndësishme të Kishës Katolike. Ai njihet edhe për lidhjen e veçantë me natyrën dhe kafshët, ndërsa “Kënga e Krijesave”, që i atribuohet atij, është një nga tekstet më të hershme të letërsisë në gjuhën italiane.
Vdiq në vitin 1226 dhe u shpall shenjtor vetëm dy vjet më vonë. 4 tetori është festa e Shën Françeskut të Asizit, i cili sot kujtohet edhe si simbol i thjeshtësisë, solidaritetit dhe respektit për natyrën.
Figura e tij është përjetësuar edhe në art. Afresket e Giotto-s në Bazilikën e Shën Françeskut në Asizi, një prej kryeveprave të artit italian të mesjetës, rrëfejnë episode nga jeta e tij. Pikërisht një nga këto pamje shfaqet në imazhin kushtuar 4 tetorit.
Tetë shekuj më pas, mesazhi i tij mbetet aktual: ta shohësh tjetrin pa pyetur më parë se çfarë ka, sa vlen apo çfarë mund të të japë në këmbim.





