Në raportin e publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) “Gratë dhe burrat në Shqipëri 2026” theksohet se në fund të vitit 2025 kishte 1.181.981 gra dhe 1.153.949 burra, ose rreth 28 mijë më shumë gra se burra.

Në fund të vitit 2025, popullsia banuese në Shqipëri ishte 2.335.930 banorë, nga të cilët 50,6% ishin gra dhe 49,4% burra.

Krahasuar me fundin e vitit 2024, popullsia e burrave u ul me 1,3%, ndërsa ajo e grave me 1,0%.

Shtesa natyrore e popullsisë në vitin 2025 ishte pozitive, me 1063 lindje më shumë se vdekje për gratë dhe 84 për burrat.

Në vitin 2025 u regjistruan 22.541 lindje të gjalla, 769 më pak se në vitin 2024. Raporti gjinor në lindje ishte 108 djem për çdo 100 vajza të lindura.

Vdekshmëria foshnjore ishte 5,6 vdekje për 1.000 lindje të gjalla për djemtë dhe 3,8 për vajzat.