Një studim klinik i publikuar në revistën shkencore “Acta Ophthalmologica” shqyrtoi shikimin e 17 pacientëve me verdhëz, 14 prej të cilëve kishin bllokim të rrugëve biliare dhe tre kishin hepatit viral me kolestazë.
Studiuesit përdorën teste të posaçme për perceptimin e ngjyrave, përfshirë testin “Farnsworth-Munsell 100 Hue” (që mat se sa saktë një person mund të shohë dhe të renditë ndryshimet delikate në nuancat e ngjyrave).
Në fillim, 12 nga 17 pacientët u klasifikuan me një çrregullim të fituar të dallimit të ngjyrave.
Çrregullimi ishte kryesisht i tipit tritan, që lidhet me vështirësi në dallimin e ngjyrave në boshtin blu-verdhë.
Një element i rëndësishëm i studimit ishte se pacientët nuk kishin probleme të tjera të dukshme të syrit.
Mprehtësia e shikimit, fusha pamore dhe ekzaminimet okulistike rezultuan normale. Nivelet e vitaminës A ishin gjithashtu normale.
Studiuesit vunë re gjithashtu, se ndryshimi në perceptimin e ngjyrave mund të ishte i kthyeshëm.
Katër pacientë që u kontrolluan sërish pasi verdhëza ishte zhdukur, kishin rikuperuar plotësisht perceptimin normal të ngjyrave.
Sipas autorëve, rezultatet sugjeronin një lidhje mes perceptimit të ngjyrave dhe nivelit të bilirubinës në gjak, dhe jo mungesës së vitaminës A.
Pse lidhet kjo me bilirubinën?
Bilirubina është një pigment i verdhë, që krijohet gjatë shpërbërjes së qelizave të kuqe të gjakut dhe përpunohet kryesisht nga mëlçia.
Kur ajo grumbullohet në gjak, mund të shkaktojë verdhëzën, e cila është veçanërisht e dukshme në lëkurë dhe në pjesën e bardhë të syve.
Megjithatë, ideja se njerëzit me verdhëz thjesht “shohin gjithçka përmes një filtri të verdhë” është tepër e thjeshtuar.
Studimi sugjeron se mund të ketë një ndryshim funksional në sistemin e perceptimit të ngjyrave, pasi disa pacientë patën përmirësim të plotë, pasi niveli i bilirubinës dhe verdhëza u normalizuan.





