Sipas relacionit, udhëzimi përcakton një procedurë të standardizuar për dhënien me qira, enfiteozë dhe forma të tjera të përdorimit të pasurisë shtetërore, duke përfshirë edhe një sërë kërkesash të reja për subjektet private.
Një nga elementet kryesore lidhet me mënyrën e zhvillimit të procedurave. Institucionet publike do të publikojnë informacionin dhe dokumentacionin përkatës në faqet e tyre zyrtare, ndërsa ofertat do të dorëzohen elektronikisht. Komunikimi me ofertuesit do të kryhet përmes adresave zyrtare elektronike.
Në vlerësimin e ofertave nuk do të merret në konsideratë vetëm niveli i qirasë. Pikëzimi do të bëhet mbi bazën e kritereve të përcaktuara për secilën pasuri dhe aktivitet, ndërsa edhe një ofertë e vetme e vlefshme duhet të kalojë procesin e vlerësimit.
Rregullat e reja përcaktojnë edhe një bazë minimale për tarifat e qirasë. Për ndërtesat, tarifa dysheme është 0,3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave në zonën përkatëse. Për Tiranën, kjo përkthehet në një tarifë minimale prej 372,95 lekësh për metër katror në muaj.
Në rastin e një objekti 100 m², qiraja minimale mujore llogaritet 37 295 lekë. Nëse në kontratë përfshihet edhe sipërfaqe funksionale, ajo tarifë llogaritet në masën 20% të tarifës së ndërtesës.





