Fondi limit i projektit është rreth 425,7 milionë lekë, ndërsa afati i parashikuar për realizimin e punimeve është 12 muaj.

Ndërhyrja parashikon rikonstruksionin dhe ndërtimin e kolektorit kryesor, duke ruajtur gjurmën ekzistuese aty ku kushtet e lejojnë dhe duke krijuar segmente të reja në pjesët ku kërkohet ndërhyrje.

Kolektori do të shërbejë si linja kryesore e grumbullimit dhe përcjelljes së ujërave të shiut, duke mbledhur prurjet nga kanalet dhe tubacionet e ndryshme të rrjetit dhe duke i përcjellë ato drejt pikës së shkarkimit.

Sipas projektit, sistemi i ri do të administrojë ujërat e një sipërfaqeje prej rreth 1 milion metrash katrorë, ose rreth 100 hektarë.

Ndërhyrja nis me një pellg ujëmbledhës prej rreth 400 mijë metrash katrorë, që shtrihet nga zona poshtë ish-Fabrikës së Çimentos deri në Sheshin e Flamurit. Në vijim, kolektorit do t’i bashkohen edhe prurjet e kolektorit ekzistues me diametër 1,5 metra në rrugën Transballkanike, i cili mbulon një sipërfaqe prej rreth 100 mijë metrash katrorë.

Rreth 580 metra më tej, sistemit do t’i shtohen edhe ujërat e kanalit të hapur pranë ish-Fushës së Aviacionit, që mbledh reshjet e një zone prej rreth 400 mijë metrash katrorë.

Në këtë mënyrë, projekti synon të unifikojë prurjet e zonave dhe kanaleve ekzistuese në një sistem kryesor, për të mundësuar largimin dhe shkarkimin e kontrolluar të ujërave të shiut.

Një tjetër element i projektit është ndarja e ujërave të shiut nga ujërat e zeza në zonën e ndërhyrjes, si dhe rialokimi i segmenteve të rrjetit të kanalizimeve që ndodhen në gjurmën e kolektorit të ri.

Objektivi është disiplinimi i ujërave të shiut në të gjithë zonën e mbuluar nga projekti, duke reduktuar grumbullimin e ujit në rrugë dhe problematikat e përmbytjeve gjatë reshjeve të dendura.

Ndërhyrja synon të përmirësojë kapacitetin e sistemit të kullimit të qytetit dhe të rrisë qëndrueshmërinë e infrastrukturës urbane ndaj reshjeve intensive, të cilat vitet e fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në zona të ndryshme të Vlorës.