Një nga ndryshimet kryesore lidhet me pragun prej 80 nxënësish, i cili në disa dispozita ulet në 60 nxënës. Konkretisht, në pjesët përkatëse të udhëzimit përcaktohet se kur numri i nxënësve është më shumë se 60, emërohet një drejtor shkolle. Në dispozita të tjera, kufiri që niste nga 81 nxënës ulet në 61 nxënës.

Ndryshime bëhen edhe në organizimin e klasave, ku sipas formulimit të ri, parashikohen tri klasa kur numri i nxënësve është 21–30, ndërsa shtohet një kategori e re që parashikon katër klasa kur numri i nxënësve për klasë është 31–50.

Gjithashtu udhëzimi përcakton në mënyrë të posaçme ngarkesën e mësuesve të lëndës “Edukim fizik dhe sporte”. Për këtë kategori norma caktohet në 21 orë në javë.

Në dispozitat që lidhen me ngarkesën mësimore përfshihen tashmë edhe mësuesi i artit pamor dhe mësuesi i edukimit muzikor, krahas kategorive të përcaktuara më parë.

Sipas udhëzimit ndryshim ka edhe për drejtorët dhe nëndrejtorët që kanë profilin e arsimit fillor.

Deri tani përcaktohej se drejtori dhe nëndrejtorët e shkollës plotësonin normën javore vetëm me orë të profilit të diplomës që zotëronin. Me ndryshimin e ri, drejtori ose nëndrejtori me profil të arsimit fillor mund ta plotësojë ngarkesën mësimore javore edhe me orë të përcaktuara në kreun V të udhëzimit.

Rregulla të reja përcaktohen edhe për drejtuesit e shkollave artistike. Drejtori i një shkolle me 61 deri në 200 nxënës do të ketë një ngarkesë prej 6 orësh në javë, ndërsa drejtori i një shkolle me 201 deri në 600 nxënës do të ketë 4 orë në javë.

Në degën e Baletit, udhëzimi specifikon gjithashtu lëndët Repertor, Teknikë Djem, Puante Vajza, Balet Modern, Valle Popullore dhe Duet Klasik.

Një tjetër ndërhyrje lidhet me specialitetin “Futboll”. Orët e lëndës “Formim Praktik Profesional” do të ndahen në grupet “Lojtarët” dhe “Portierët”. Grupi i lojtarëve formohet me nxënës të të njëjtit nivel arsimor, ndërsa grupi i portierëve duhet të ketë jo më pak se 6 nxënës të të njëjtit nivel.

Udhëzimi i ri ndërhyn edhe në ngarkesën e mësuesve që kryejnë funksione të tjera brenda shkollës. Kryetarit të ekipit lëndor do t’i ulet norma mësimore me 2 orë në javë. Për mësuesin koordinator të sigurimit të cilësisë përcaktohet një normë mësimore prej 6 deri në 10 orë në javë, ndërsa mësuesi koordinator i këshillimit të karrierës do të ketë një normë prej 8 deri në 12 orë në javë.

Ndryshimet prekin drejtpërdrejt edhe programin “Pas Shkolle”, i cili do të zbatohet në institucionet arsimore.

Drejtori ose nëndrejtori që ngarkohet me organizimin dhe monitorimin e këtij programi do të përfitojë ulje të normës së tij mësimore javore. Kur institucioni ka deri në 4 grupe ose klube, norma do të ulet me 2 orë mësimore në javë. Kur shkolla ka mbi 4 grupe ose klube, ulja do të jetë 4 orë në javë.