Interesi i tyre nuk lidhet vetëm me letërsinë, por edhe me raportin e Kadaresë me regjimin komunist apo me mënyrën se si mund të mbijetojë një mendje e lirë në një vend të izoluar.
Për adhuruesit e letërsisë, këto shtëpi muzeale krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me autorët dhe procesin e tyre krijues. Një nga elementët që vlerësohet veçanërisht është ruajtja e objekteve origjinale dhe autenticiteti i hapësirave.
Interesi në rritje i turistëve ka bërë që shtëpitë-muze Agolli e Kadare të përfshihen gjithnjë e më shpesh në guidat turistike të Tiranës. Krahas vizitave fizike, muzeu pritet të pasurojë ofertën edhe me një audioguidë në gjashtë gjuhë të ndryshme, që do të jetë e disponueshme brenda vitit.





