Kalldrëmi i Rrugës së Pazarit të Vjetër, një nga rrugët historike që të çonte drejt Kalasë së Shkodrës, do të restaurohet dhe rikthehet në funksion si pjesë e projektit gjithëpërfshirës për Rijetësimin e Kalasë së Shkodrës.
Pas pastrimit dhe çlirimit nga bimësia, rruga do të restaurohet dhe pajiset me sinjalistikën e nevojshme, ndriçim për orët e natës dhe barriera mbrojtëse për vizitorët që do t’i drejtohen kalasë përmes këtij itinerari. Ndërhyrja është pjesë e investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të financuara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Rikthimi i Rrugës së Pazarit nuk përfaqëson vetëm restaurimin e një kalldrëmi të vjetër. Është rikthimi në funksion i një gjurme historike, që lidh të shkuarën me të tashmen dhe nxjerr në pah vlera që për vite me radhë kanë mbetur të fshehura nga urbanizimi i vrullshëm.





