Pasojat mund të zgjasin për vite
Sipas ekspertëve, efektet ekonomike të El Niños nuk shfaqen gjithmonë menjëherë.
Ekonomitë mund të rikuperohen përkohësisht duke rindërtuar infrastrukturën dhe duke rikthyer prodhimin bujqësor. Megjithatë, studimet tregojnë se shumë vende përballen me ngadalësim ekonomik dhe mungesë rimëkëmbjeje për 5 deri në 10 vjet pas ngjarjeve ekstreme klimatike.
El Niño është një fenomen klimatik që ndodh zakonisht çdo 2 deri në 4 vjet. Ai shoqërohet me temperatura më të larta të ujërave në Oqeanin Paqësor dhe shkakton: thatësira të forta, reshje intensive, përmbytje, valë të nxehti ekstreme.
Si po përgatiten qeveritë?
Shumë vende kanë nisur masa paraprake për të reduktuar pasojat. Panamaja ka përgatitur plane për racionimin e ujit, me qëllim shmangien e një bllokimi tjetër të Kanalit të Panamasë. Bangladeshi ka investuar në kërkime shkencore dhe sisteme paralajmërimi të hershëm për fatkeqësitë natyrore. Sipas Paul Roundy, profesor në Universitetin e Albany në SHBA, këto masa kanë dhënë rezultate konkrete. “Numri i njerëzve që humbin jetën nga stuhitë është ulur ndjeshëm. Nga qindra mijëra viktima në të kaluarën, sot në shumë raste flitet vetëm për dhjetëra”, thekson ai.
El Niño mbetet një nga fenomenet klimatike më të fuqishme në botë. Përveç ndikimit në mot, ai mund të rrisë çmimet e ushqimeve, të pengojë tregtinë ndërkombëtare, të dëmtojë bujqësinë dhe të ngadalësojë rritjen ekonomike për shumë vite. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se përgatitja dhe investimet në sisteme paralajmëruese janë thelbësore për të zbutur pasojat e tij





