Shkencëtarët zbuluan se sildenafili rrit nivelet e një molekule sinjalizuese, të quajtur cGMP, e cila lidhet me proteinën NPC1, përgjegjëse për transportin e kolesterolit brenda qelizës.

Si rezultat, kolesteroli mbetet i bllokuar në lizozome dhe nuk mund të përdoret nga qelizat e kancerit, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përhapur.

Studiuesit vunë re gjithashtu se kombinimi i sildenafilit me statinat – barna që ulin prodhimin e kolesterolit – mund të ketë efekt edhe më të madh.

Ndërsa sildenafili pengon përdorimin e kolesterolit ekzistues, statinat kufizojnë prodhimin e kolesterolit të ri, duke i privuar qelizat kancerogjene nga një burim jetik.

Studimi u mbështet në eksperimente me modele të kancerit te minjtë, kultura qelizash nga pacientë dhe analiza të të dhënave shëndetësore të rreth 5 milionë personave, të mbledhura gjatë 20 viteve.

Analiza tregoi se pacientët me kancer, që merrnin sildenafil kishin mbijetesë më të mirë, veçanërisht kur ai përdorej së bashku me statina.

Megjithatë, kjo pjesë e studimit ishte vëzhguese dhe nuk vërteton se ilaçi është shkaku i drejtpërdrejtë i përmirësimit.

Autorët theksojnë se rezultatet janë premtuese, por Viagra nuk duhet të konsiderohet trajtim kundër kancerit në këtë fazë.

Ata nënvizojnë se nevojiten prova klinike te njerëzit, për të konfirmuar sigurinë dhe efektivitetin e kësaj qasjeje, përpara se ajo të përdoret në praktikën mjekësore.