Studimet shkencore tregojnë se një ushqyerje e ekuilibruar në fëmijëri lidhet me rrezik më të ulët, për probleme shëndetësore në të ardhmen, si obeziteti, diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet metabolike.
Për më tepër, ushqimet e pasura me lëndë ushqyese ndihmojnë në përqendrimin, kujtesën dhe performancën e aftësive njohëse të fëmijëve.
Studimi mbi lidhjen mes ushqyerjes dhe mikrobiotës së zorrëve te fëmijët, u krye nga studiues të Universitetit të Queensland-it në Australi, të cilët analizuan ndikimin e dietës në përbërjen e mikroorganizmave të dobishëm, që jetojnë në sistemin tretës.
Në studim morën pjesë 37 fëmijë të moshës 2–3 vjeç, një periudhë e rëndësishme kur mikrobiota e zorrëve vazhdon të zhvillohet dhe të përshtatet me ushqyerjen.
Studiuesit analizuan zakonet ushqimore të fëmijëve dhe përbërjen e mikrobiotës së tyre, duke vërejtur se konsumimi më i lartë i ushqimeve të pasura me fibra, si frutat, perimet, bishtajoret dhe frutat e thata, lidhej me një diversitet më të madh të baktereve të dobishme në zorrë.
Sipas studiuesve, një mikrobiotë më e larmishme, konsiderohet e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve, pasi ndihmon në procesin e tretjes, në përthithjen e disa lëndëve ushqyese dhe në rregullimin e sistemit imunitar.
Fibrat që gjenden në këto ushqime shërbejnë si “ushqim” për bakteret e mira të zorrëve, të cilat prodhojnë përbërje që mund të ndikojnë pozitivisht në funksionimin e organizmit.
Gjetjet sugjerojnë se zakonet ushqimore të krijuara që në vitet e para të jetës, mund të kenë ndikim afatgjatë në shëndetin e fëmijëve.
Studiuesit theksojnë se një dietë e larmishme, e bazuar në ushqime natyrale dhe pak të përpunuara, mund të ndihmojë në krijimin e një ekuilibri më të mirë të mikrobiotës së zorrëve dhe në mbështetjen e zhvillimit të shëndetshëm gjatë fëmijërisë.





