Sipas studimit, të botuar në revistën ”Astronomy and Astrophysics” nga Olivier Hainaut, për të mbrojtur aftësinë e teleskopëve modernë për të vëzhguar qiellin e natës, numri i satelitëve duhet të kufizohet në jo më shumë se 100 000, me kusht që të jenë të padukshëm me sy të lirë.

Nëse do të ishin më të ndritshëm, numri i përgjithshëm duhet të jetë edhe më i ulët.

“Satelitët, të ndriçuar nga Dielli, janë shumë më të ndritshëm se galaktikat e largëta”, thotë Hainaut.

Cili është ndryshimi?

“Kur një satelit kalon fushën tonë të shikimit, ai lë një gjurmë të ndritshme në imazh, duke errësuar atë që fshihet pas tij. Orbita e ulët e Tokës ka një vlerë të jashtëzakonshme për jetën moderne”, shton studiuesi, “por ne duhet të menaxhojmë ndikimin e megakonstelacioneve për të siguruar që ky burim të mbetet i paprekur dhe i arritshëm për brezat e ardhshëm”.

Që nga viti 2019, numri i satelitëve në orbitë është rritur ndjeshëm, duke arritur në afërsisht 14 000 sot.

Një pjesë e madhe e këtyre – më shumë se 10 000 – i përkasin ”Starlink” të SpaceX, konstelacionit global të internetit.

Kompania e Elon Musk planifikon të lëshojë në orbitë edhe një milion satelitë të tjerë, dhe atyre nga konstelacione të tjera do t’u shtohen këtyre.

Për të llogaritur ndikimin e përgjithshëm në vëzhgimet astronomike, Hainaut simuloi pozicionet, lëvizjen dhe shkëlqimin e të gjitha konstelacioneve satelitore ekzistuese dhe të planifikuara.