Platforma është një zgjidhje digjitale që bashkon transportin publik interurban me nevojën e përdoruesve për informacion të plotë mbi mënyrën e aksesimit të tij.
Bajraktari ishte i pranishëm në pikat kryesore hyrëse të vendit, duke u takuar me qytetarë, turistë dhe operatorë të transportit për t’i informuar mbi funksionalitetet, mënyrën e përdorimit dhe avantazhet që ofron platforma eTransport.
Vizita e parë u zhvillua në Portin e Durrësit, një nga portat kryesore hyrëse të Shqipërisë gjatë sezonit turistik, ku çdo ditë mbërrijnë dhjetëra udhëtarë. Më pas, Kreshnik Bajraktari vijoi aktivitetin informues në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, në Portin e Vlorës dhe Portin e Sarandës.
Kreu i DPSHTRR pati mundësinë të dëgjonte drejtpërdrejt përvojat, sugjerimet dhe nevojat e përdoruesve të transportit publik interurban. Fushata informuese do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror.





