Greenspan udhëhoqi bankën qendrore amerikane nga viti 1987 deri në vitin 2006, një periudhë e karakterizuar nga një rritje e fortë ekonomike, inflacion i ulët dhe tregje financiare në lulëzim.
Për ndikimin e tij të madh në ekonomi, ai u quajt shpesh “Mjeshtri” dhe “Orakulli” i financave.
Gjatë mandatit të tij, ai ndihmoi SHBA-në të përballonte disa tronditje të mëdha financiare, përfshirë rrëzimin e bursës në vitin 1987 dhe krizën aziatike të viteve 1997-1998.
Nën drejtimin e tij, papunësia në SHBA ra në nivelet më të ulëta ndër dekada.
Megjithatë, reputacioni i tij u dëmtua pas largimit nga posti, kur shpërtheu kriza financiare globale e viteve 2007-2009.
Kritikët e fajësuan për politikat e normave të ulëta të interesit dhe mbështetjen e lehtësimit të rregullave të tregjeve financiare, faktorë që kontribuuan në krijimin e flluskës së pasurive të paluajtshme.
Vetë Greenspan më vonë pranoi se kishte gabuar, duke besuar se bankat mund të vetërregulloheshin pa mbikëqyrjen fortë shtetërore.
I lindur në Nju Jork, Greenspan fillimisht ishte një muzikant xhazi dhe luante klarinetë e saksofon, përpara se t’i përkushtohej ekonomisë.
Ai u bë këshilltar ekonomik i presidentëve amerikanë dhe më pas u emërua në krye të Rezervës Federale nga presidenti Ronald Reagan.
Edhe pas daljes në pension, Greenspan mbeti aktiv si konsulent, autor dhe komentator ekonomik.
Në vitet e fundit, ai mbrojti pavarësinë e Rezervës Federale dhe kritikoi përpjekjet politike për të ushtruar presion mbi institucionin.
Mandati i tij prej 18 vitesh e gjysmë, mbetet një nga më të gjatët në historinë e bankës qendrore amerikane.





