Paketa e re ligjore synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane në fushën e sigurisë rrugore, duke vendosur rregulla më të forta për drejtimin e mjeteve nën ndikimin e alkoolit dhe për shkeljet me rrezik të lartë për jetën e qytetarëve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkelësve të përsëritur të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas Kodit të ri, patenta mund të hiqet përjetësisht për drejtuesit e mjeteve kapen në mënyrë të përsëritur duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, me nivel mbi 0.5 gram për litër në gjak.
Po ashtu, ndalohet përdorimi i celularit në dorë edhe për biçikletat, motorët elektrikë dhe monopatinat. Personave që kapen pa patentë në timon u shtyhet me një vit e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi, ndërsa për të miturit kjo periudhë shtyhet me dy vite (nga 18 në 20 vjeç).
Një fokus i veçantë i është kushtuar edhe garave të shpejtësisë. Për shkelje të tilla, si dhe për qarkullim me shpejtësi të lartë pranë kryqëzimeve, shkollave apo gjatë orëve të natës, gjobat rriten nga 10-40 mijë lekë në 20-60 mijë lekë.
Gjithashtu, rregullat janë ashpërsuar edhe për drejtuesit agresivë të mjeteve që ndryshojnë shpesh korsinë, sidomos në zonat urbane, duke mos respektuar sinjalistikën dhe duke shfaqur sjellje josociale. Për këto shkelje, masa e gjobës që ishte nga 10 mijë- 40 mijë lekë dhe rritet nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike apo funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.





