Filmi është ndërtuar mbi gjashtë këngë të albumit të ri, përfshirë “I Feel So Free”, “Good For The Soul”, “One Step Away”, “Bring Your Love”, “Danceteria” dhe “Read My Lips”.

Ngjarja nis me Madonnën në prapaskenë të një salle koncertesh, ku ndiqet nga robotë femra. Më pas ajo shfaqet në një pyll, vallëzon mes rrezeve lazer, performon në një sallë mbledhjesh dhe përfundon në një klub nate ku bashkohet me personazhet e famshëm që marrin pjesë në film.

Një nga momentet më të komentuara është transformimi i Madonnës në aktoren Julia Garner, e cila më parë ishte përzgjedhur për ta interpretuar këngëtaren në një film biografik që më vonë u anulua.

Filmi përmban gjithashtu disa skena provokuese dhe paraqitje të veçanta nga miq të hershëm të artistes, përfshirë aktoren Debi Mazar, e cila ka bashkëpunuar me Madonnën që në fillimet e karrierës së saj në vitet 1980.

Madonna e ka përshkruar projektin si një vepër të vetme kinematografike që ndërthur sekuenca muzikore të lidhura mes tyre. Sipas saj, krijimi i një videoklipi të zakonshëm nuk do të ishte i mjaftueshëm për vizionin që kishte për albumin e ri, i cili vjen si vazhdim i albumit të suksesshëm të vitit 2005, “Confessions On A Dancefloor”, fitues i çmimit “Grammy”.