Ekspozita paraqet për herë të parë një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit (1904–1984), fotograf dhe inxhinier ndriçimi me famë botërore, i cili njihet si një nga pionierët e fotografisë së shpejtë (stroboskopike) dhe si fotografi i preferuar i yjeve të Hollivudit dhe artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, përfshirë Pablo Pikason.
Gjon Mili, i lindur në Korçë në vitin 1904, emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nisi në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj qasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku hulumtoi mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike.
Muzeu “Marubi” thotë se, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar, pasi origjina shqiptare e Gjon Milit mbetet thelbësore në narrativën e tij, edhe pse e ndërtoi karrierën në SHBA.
Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në kujtesën artistike shqiptare.





