Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bëri të ditur sot se këtë vit mbështetja financiare nis për fermat me të paktën 25 zgjoje.
Sipas kritereve të publikuara, vlera e financimit do të jetë dy mijë lekë për zgjua për parqet e bletëve me 25 deri në 150 zgjoje, ndërsa për numrin mbi tavanin prej 150 zgjojesh mbështetja do të jetë në masën 50%.
Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, financimi do të mbulohet në masën 100%, duke synuar nxitjen e organizimit dhe bashkëpunimit mes fermerëve në këtë sektor.
AZHBR i bën thirrje bletarëve të interesuar të konsultojnë udhëzimin e publikuar në faqen zyrtare për të njohur kriteret dhe procedurat e aplikimit.
“Për asistencë gjatë aplikimit, fermerët mund t’u drejtohen Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, si dhe të kontaktojnë përmes numrit të gjelbër 0800 83 83 apo adresës elektronike info@azhbr.gov.al”, njofton AZHBR.





