Ndërtimi i rrugës së Leusës në Përmet, do t’i vijë në ndihmë banorëve por edhe turistëve të shumtë që zgjedhin të vizitojnë këtë destinacion turistik. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se tashmë po bëhet realitet premtimi për ta ndërtuar këtë rrugë për banorët e Leusës, për përmetarët, por edhe për turistët. “Rruga e Leusës nuk është thjesht një rrugë fshati, por një destinacion turistik aq shumë i kërkuar, aq shumë i frekuentuar, ku shumica e turistëve e bëjnë edhe me këmbë duke e konsideruar edhe si “një aventurë ngjitjeje”, por kjo e ul numrin e të dëshiruarve për të vizituar një fshat të veçantë, me një kishë të jashtëzakonshme, me rrugica origjinale, me pamje panoramike si rrallëherë, fshat ku kanë filluar dhe bujtinat e para”, tha ajo. Kumbaro shtoi se ka dhe rrugë të tjera që për të njëjtat arsye meritojnë të rindërtohen, dhe për këtë do të punojmë fort. “Bashkia Përmet me mbështetjen e qeverisë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit po e kthen Përmetin në destinacionin e preferuar për turizmin gjithëvjetor”, tha Kumbaro.https:
//ata.gov.al/2022/08/08/kumbaro-rruga-e-leuses-do-te-nxise-turizmin-ne-permet/