Gurgullima e ujërave tregon se aty pranë ka ujëvarë dhe vërtet një shenjë e kuqe në gur tregon shtegun.

Ujëvara është e vogël, por ka shumë ujë. Sjell poshtë drejt fshatit ujërat e dëborës nga shpatet e maleve që ruajnë pllanga pllanga ende praninë e saj. E rrethuar me pemë, bar dhe lule, një oaz freskie mbushur me melodinë e ujërave që rrjedhin mes shkëmbinjve.

Territori i fshatit është mjaft i thyer, duke filluar nga lartësia 640 m deri në Majën e Arithit (1988 m). Shtrihet në të dy krahët e përroit të Dushajve ku natyra piktoreske me ujëvara dhe pyje të bën të harrosh se ndodhesh shumë pranë rrugës kombëtare.

Historianët thonë se fshati njihet që në mesjetë ndërsa treva e Fushë-Bulqizës ka qenë e banuar që në periudhën e Principatës së Arbrit. Për herë të parë në dokumente zyrtare Dushaj gjendet i shënuar si fshat në vitin 1838.

Fshati ka dhënë kontribut në luftërat kundër pushtuesve dhe lëvizjet kombëtare, ndërsa tani njihet si “fshati i kullave”.

Gjatë komunizmit, pjesa më e madhe e banorëve të fshatit ishin minatorë në minierën e kromit në Bulqizë, e cila ishte burimi kryesor i të ardhurave për zonën gjatë asaj kohe.

Tashmë, përveç blegtorisë dhe bujqësisë, fshati ndodhet në listën e zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore (pjesë e “Paketës së Maleve”).

Lugina tashmë është përfshirë e gjitha nga rrezet e diellit – që më në fund ia dolën me shtëllungat e reve – dhe jemi aq lart sa nuk duken më shtëpitë, por vetëm Fushë-Bulqiza në distancë. Shpatet e gjelbëruar që bien thikë mbi fusha krijojnë ndjesinë sikur bota sapo është krijuar.