Në këtë muze, publiku do të mund të shohë mbi 3200 artefakte të organizuara në pavijone të reja tematike sipas periudhave historike. Janë integruar teknologji moderne për interpretim dhe përvojë interaktive, ku publiku do të mund të udhëtojë në kohën e mbretëreshës Teutë.
Gjithashtu janë adresuar problemet e mëparshme infrastrukturore siç ishin aksesueshmëria (ashensorë jo funksionalë më parë), organizimi i hapësirave (dikur katet e sipërme qenë kthyer në depo), siguria dhe stabiliteti i godinës, si dhe u zgjidh çështja e mungesës së informacionit për artefaktet.
Koleksioni muzeal është strukturuar për përditësime të vazhdueshme me gjetje të reja. Është rikthyer në ekspozim objekti “Bukuroshja e Durrësit”. Stafi i Qendrës Muzeore Durrës është rritur nga 17 në 33 punonjës, duke përfshirë: restaurues, arkeologë dhe ciceronë.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit i cili fillimisht u hap në mars të vitit 1951, është konceptuar si hapësirë aktive edukative, me programe për të rinj, fëmijë dhe bashkëpunime akademike. Prej ditës së inaugurimit, muzeu do të jetë falas për 15 ditë për të gjithë vizitorët.





