Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë po konsiderohet si një ndër projektet më të mëdha sportive dhe zhvillimore për Kosovën, me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sport, por edhe në infrastrukturë, ekonomi dhe imazh ndërkombëtar.

Institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë tashmë kanë nisur përgatitjet dhe koordinimin, duke e parë këtë ngjarje si një mundësi unike për vendin që të prezantohet në arenën globale dhe të lërë një trashëgimi afatgjatë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe bashkëpunimit institucional për realizimin e këtij projekti madhor. Ai vuri në pah se organizimi i Lojërave kërkon kohë, përpjekje të mëdha dhe mbi të gjitha unitet mes nivelit lokal, qendror dhe institucioneve sportive, duke e cilësuar këtë si një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë dhe që duhet shfrytëzuar për të dëshmuar përparimin e vendit.

Ndryshe, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 kanë marrë një shtysë të re edhe në aspektin institucional. Së fundi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin e veçantë për organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke krijuar bazën ligjore për financimin, ndërtimin e infrastrukturës dhe koordinimin ndërinstitucional.

Ky hap konsiderohet kyç për mbarëvajtjen e projektit, pasi përcakton përgjegjësitë e institucioneve dhe garanton mbështetje të qëndrueshme shtetërore deri në vitin 2030.

Në këtë mënyrë, Kosova po synon jo vetëm organizimin e suksesshëm të një eventi të madh sportiv ndërkombëtar, por edhe ndërtimin e një trashëgimie afatgjatë në sport dhe zhvillim urban