Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në dokumente dhe targat ilegale nuk do të diskutohen në takimin e 18 gushtit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Nga ekzekutivi thonë se vendimet janë të institucioneve të Kosovës dhe të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit, andaj nuk mund të jetë temë e diskutimit. Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk tregon se cila do të jetë axhenda e takimit, derisa thotë për KosovaPress se nuk do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve, pra atij të nivelit të lartë. “Për axhendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, prandaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress. Detaje për takimin e 18 gushtit nuk jep as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak për të diskutuar rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe axhendës më afër ditës së takimit”, thekson ai. Këtë takim e shohim me skepticizëm njohësit e procesit të dialogut. Analisti politik, Artan Muhaxheri thotë se zhvillimet në veri të Kosovës kanë ndryshuar dinamikën e dialogut.