Në arkivin e ATSH-së gjenden disa fotografi të BKSH, të cilat datojnë që nga 1947. Në to shfaqen lexues të vegjël, raftet me libra si dhe punonjëset që radhisin skedarët.
Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky dekret i dha mundësi BKSh të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të vendit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip.





