Pas më shumë se një shekulli zhvillimi, këto terapi që fuqizojnë sistemin imunitar të trupit po japin rezultate të jashtëzakonshme, duke ndryshuar mënyrën tradicionale të trajtimit të sëmundjes, siças BBC.
Një rast i përmendur është ai i një pacienteje 71-vjeçare në Shtetet e Bashkua të Amerikës, e cila pas një trajtimi eksperimental me ilaçin dostarlimab, pa zhdukjen e plotë të tumorit vetëm pas katër muajsh, pa pasur nevojë për kirurgji, kimioterapi apo radioterapi.
Raste të tilla po shtohen, duke nxitur optimizëm të madh në komunitetin shkencor për mundësinë e kurimit të disa formave të kancerit.
Imunoterapia funksionon duke ndihmuar sistemin imunitar të identifikojë dhe të shkatërrojë qelizat kancerogjene, të cilat shpesh fshihen dhe duken si qeliza normale.
Dy nga metodat më të përdorura aktualisht janë terapitë CAR T dhe inhibitorët e pikave të kontrollit imunitar, të cilat ose modifikojnë qelizat imunitare për të sulmuar kancerin, ose heqin frenat që pengojnë reagimin e tyre.
Megjithatë, këto trajtime nuk funksionojnë për të gjithë pacientët. Vetëm 20% deri në 40% e tyre reagojnë pozitivisht ndaj imunoterapisë, ndërsa në disa raste mund të shfaqen efekte anësore si lodhje, probleme në lëkurë apo inflamacion i organeve.
Gjithashtu, disa metoda si CAR T janë ende të kufizuara kryesisht për kanceret e gjakut dhe kanë kosto të lartë.
Për të rritur efektivitetin, studiuesit po eksplorojnë qasje të kombinuara, si përdorimi i imunoterapisë së bashku me radioterapi, ultratinguj apo edhe ndryshime në stilin e jetesës, si dieta e pasur me fibra.
Po ashtu, ilaçe të zakonshme si statinat mund të përmirësojnë përgjigjen ndaj trajtimit, ndërsa edhe koha e administrimit të terapisë mund të ketë ndikim në rezultat.
Një drejtim premtues është mjekësia e personalizuar, ku trajtimi përshtatet sipas karakteristikave specifike të tumorit të pacientit.
Studime të fundit kanë treguar se disa tumore me profile të veçanta gjenetike mund të zhduken plotësisht vetëm me imunoterapi, duke shmangur ndërhyrjet kirurgjikale.
Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e pacientëve aktualisht përfitojnë nga këto metoda





