Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Televizionit në Bari, “Bif&st” është një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në rajonin e Mesdheut. “Burri i shtëpisë” nga Andamion Murataj është vlerësuar me çmim special si një nga filmat më të veçantë të edicionit të 17-të të festivalit.

Regjisori është shprehur se është i lumtur me këtë rikthim, 35 vjet pas mbërritjes së tij në brigjet e Barit me anijen “Vlora”.

Filmi “Burri i shtëpisë” ka në qendër të tij historinë e një burrneshe të vendosur në kushtet e një shoqërie moderne të një Shqipërie që ndryshon dita-ditës. Për ndërtimin e karakterit të Franit, regjisori Murataj ka zgjedhur që në fillim aktoren Drita Kaba-Karaga nga Maqedonia e Veriut, duke e parë personazhin të lidhur me aftësitë e jashtëzakonshme psiko-fizike dhe mjeshtërinë e lartë interpretuese të aktores.