Shkrimtari Zija Çela lindi më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Ishte fëmija i shtatë në një familje, ku i ati ishte punëtor dhe e ëma shtëpiake.
Pas diplomimit në Universitetin e Tiranës për Letërsi, ai u emërua mësues në fshatrat malore të Kukësit ku punoi për shumë vite.
Si autor u bë i njohur nga librat me tregime, që u pasuan nga romanet e tij, duke spikatur veçanërisht me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”. Më parë kishte botuar romanet “Një verë pa lamtumirë” dhe “Mali i tejdukshëm”, i cili për realizmin e fortë dhe modernitetin e formës, është cilësuar si rebelim i autorit ndaj metodës së socrealizmit.
Libri autobiografik “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” dhe romani “SOS, një buzëqeshje” janë përgjigje të jashtëzakonshme të shkrimtarit ndaj sfidave dhe pësimeve të jetës.
Zija Çela është fitues i shumë çmimeve letrare.



