Një kompani amerikane bioteknologjike e quajtur “Loyal” ka njoftuar nisjen e një studimi të madh klinik në nivel kombëtar – për një medikament të ri që synon të zgjasë jetën e qenve të moshuar, sipas “New York Post”.

Ilaçi, i njohur si “LOY-002”, po zhvillohet për të ndihmuar qentë të jetojnë më gjatë dhe të ruajnë cilësinë e jetës ndërsa plaken.

Studimi kryesor klinik, i quajtur “STAY”, ka nisur qenin e parë pjesëmarrës i cili po merr ilaçin – dhe pritet të përfshijë më shumë se 1000 qen të tjerë.

Ky studim është projektuar për të mbledhur të dhëna mbi efektivitetin dhe sigurinë e ilaçit, në mbështetje të aplikimit të kompanisë për miratim nga “Administrata e Ushqimit dhe Barnave” (FDA).

Kompania po kërkon gjithashtu miratim të kushtëzuar, i cili mund të lejojë që ilaçi të ofrohet nga veterinerët më herët, ndërkohë që studimi vazhdon.

Si funksionon ilaçi
• “LOY-002” synon të përmirësojë shëndetin metabolik të qenve të moshuar.

• Qëllimi është të vonojë shfaqjen e sëmundjeve të lidhura me moshën dhe të zvogëlojë ndikimin e tyre.

• Ilaçi do të jepet çdo ditë në formë pilule dhe është projektuar për qentë mbi 10 vjeç dhe me peshë rreth 6,3 kilogramë.

Studimi pritet të zgjasë katër vjet, gjatë të cilëve do të krahasohet jetëgjatësia dhe cilësia e jetës së qenve që marrin ilaçin.

Sipas kompanisë, nëse miratohet, ky ilaç mund të bëhet terapia e parë e aprovuar që synon të zgjasë jetën e qenve, duke u dhënë atyre më shumë vite të shëndetshme pranë familjeve të tyre