Ekspozita, e kuruar nga Clare Grafik dhe Karol Hordziej, prezanton projektin monumental “Sociological Record” (Zapis socjologiczny) të fotografes polake Zofia Rydet (1911–1997), e njohur për dokumentimin e jetës së përditshme nëpërmjet fotografisë.

Në vitin 1978, në moshën 67-vjeçare, Rydet nisi një projekt ambicioz për të fotografuar njerëzit brenda shtëpive të tyre, duke dokumentuar ambientet familjare dhe mënyrën e jetesës. Për gati tre dekada ajo udhëtoi në komunitete të ndryshme, duke krijuar një arkiv të gjerë vizual të jetës familjare, kulturës dhe transformimeve shoqërore.

Projekti “Regjistri Sociologjik” përfshin rreth 20 mijë fotografi, të realizuara në qindra komunitete në Poloni dhe vende të tjera. Vetëm një pjesë e vogël e këtyre imazheve u printuan gjatë jetës së artistes.

Ekspozita në “Marubi” paraqet rreth 100 printime fotografike, përfshirë edhe një përzgjedhje fotografish të realizuara nga Rydet gjatë vizitës së saj në Shqipëri. Gjithashtu prezantohen libra dhe materiale arkivore nga Fondacioni Zofia Rydet, që ofrojnë një vështrim të rrallë mbi këtë projekt unik dokumentar.

Ekspozita është prodhuar nga “The Photographers’ Gallery” në partneritet me Institutin “Adam Mickiewicz” dhe Fondacionin “Zofia Rydet” ndërsa prezantohet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.