Punonjës të Zonave të Mbrojtura i janë bashkuar prej javësh operacioneve për shuarjen e vatrave të zjarrit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka shprehur mirënjohje ndaj të gjithë punonjësve të ADZM-ve që i janë bashkuar pa asnjë hezitim ekipeve të ushtrisë, zjarrfikësve dhe emergjencave civile, duke sakrifikuar çdo ditë në terrene tejet të vështira nga Parku i Alpeve në veri deri në Llogara në jug për të shuar vatrat e zjarrit që rrezikojnë hektarë të tëra me pyje dhe monumentet e natyrës. Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro shprehet se kjo është një punë e heshtur, por e përditshme në shërbim të natyrës dhe pasurive tona të përbashkëta.
Sipas saj, ky është një model që me veprime e me sakrificë i kundërvihet dashakeqësisë të abuzuesve dhe shkelësve të ligjit që s’u dhimbset dora t’u vënë flakën pyjeve. Në operacionet e shuarjes së vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 342 forca operacionale, të Shërbimit te Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 35 mjete zjarrfikëse.https://ata.gov.al/2022/08/06/kumbaro-sakrifica-e-punonjesve-te-zonave-te-mbrojtura-ne-shuarjen-e-zjarreve/