Zbulimi vjen nga analiza e stalagmiteve në një shpellë të lashtë në jug të Marokut, të cilat ruajnë informacione për klimën e mijëra viteve më parë.

Stalagmitet formohen kur uji i shiut depërton përmes tokës dhe pikëzon në shpellë, duke krijuar shtresa minerale që rriten me kalimin e kohës.

Këto shtresa funksionojnë si një arkiv natyror i klimës, sepse përmbajnë gjurmë kimike që tregojnë sa reshje ka pasur në periudha të ndryshme historike.

Analiza e izotopeve të uraniumit dhe toriumit në këto formacione tregoi se ato janë krijuar midis 8700 dhe 4 300 vjet më parë, çka tregon se Sahara në atë kohë kishte një klimë shumë më të lagësht se sot. Kjo periudhë njihet shpesh si faza e “Saharasë së gjelbër”.

Reshjet e shumta ndikuan edhe në jetën e njerëzve të hershëm në rajon.

Të dhënat arkeologjike tregojnë një rritje të vendbanimeve neolitike në jug të maleve Atlas, ku komunitetet merreshin me blegtori dhe përfitonin nga kullotat dhe burimet e ujit që ekzistonin atëherë.

Sipas studiuesve, lagështia që solli këtë klimë më të gjelbër mund të ketë ardhur nga sisteme atmosferike tropikale, të cilat transportonin masa të mëdha lagështie drejt Afrikës Veriore.

Ky zbulim ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si ka ndryshuar klima e Tokës gjatë mijëra viteve