Kjo platformë synon krijimin e një hapësirë të strukturuar, të besueshme dhe të aksesueshme për edukimin mbi periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë dokumentet arkivore me procesin e mësimdhënies dhe edukimin qytetar të brezit të ri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, përfaqësues të ambasadës së Gjermanisë, Këshillit të Evropës, Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) dhe Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).

Kryetarja e Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula theksoi se një element vendimtar është mbështetja e qeverisë shqiptare, e cila ka ndarë fonde të mjaftueshme për të nisur ndërtimin e infrastrukturës digjitale fillestare.

“Kjo na mundëson të kalojmë nga faza konceptuale në zbatim konkret dhe të avancojmë me ritëm të qëndrueshëm. Hapi i parë drejt krijimit të platformës u hodh tre vjet më parë, me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Tashmë kemi nisur konsultimet intensive me Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) për integrimin e platformës në programet shkollore, tekstet dhe standardet pedagogjike”, tha ajo.

Sula theksoi se historia e funksionimit të aparatit të diktaturës, sidomos e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtohet në mënyrë të kufizuar në tekstet dhe kurrikulat aktuale.

“Dokumentet arkivore që ruajmë nuk janë thjesht dëshmi të së shkuarës; ato na ndihmojnë të kuptojmë mekanizmat e një sistemi që prodhoi padrejtësi të gjera dhe na orientojnë për të ndërtuar një kulturë më të fortë demokratike tek të rinjtë”, theksoi ajo.

Përmes platformës “Mësojmë nga e kaluara”, AIDSSH synon t’i transformojë këto dokumente në burime edukative të hapura, të cilat do t’u shërbejnë mësuesve, nxënësve dhe studiuesve për lexim kritik, analizë dhe reflektim mbi pasojat e ideologjisë totalitare, rëndësinë e drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Platforma do të mbështetet në kontributin e një rrjeti të gjerë studiuesish dhe kërkuesish nga brenda institucionit dhe institucionet partnere, duke përfshirë edhe familjarë dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të kësaj historie.

Sula theksoi se sfida kryesore ka qenë historiografia e vjetër masive, e ndërtuar mbi burime të kufizuara dhe të ngarkuara ideologjikisht.

“Deri më sot, fokusi i AIDSSH ka qenë i fortë në punën e drejtpërdrejtë me mësuesit e historisë – përmes trajnimeve, klubeve të librit dhe filmit, materialeve të hapura dhe programeve edukative. Me këtë tryezë pune synojmë të thellojmë dhe të planifikojmë bashkëpunimin, duke përfshirë universitetet shqiptare, institucionet e arsimit të lartë, institucionet e kujtesës historike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e edukimit për kujtesën, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha ajo.

Platforma do të ofrojë dy nivele kryesore aksesi. Një nivel do të jetë profesional për mësues, studiues, autorë tekstesh dhe edukatorë, me materiale burimore, dosje tematike dhe mjete didaktike të avancuara.

Ndërsa niveli tjetër për nxënës dhe të rinj do të jetë me përmbajtje të përshtatur pedagogjikisht, video, aktivitete interaktive, kuize dhe forma inovative të të nxënit përmes historisë.