Sipas raportit mbi treguesit fiskalë të konsoliduar, publikuar nga Ministria e Financave të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat për periudhën janar-dhjetor 2025 arritën në 496,2 miliardë lekë, 39,2 miliardë lekë ose 8,6% më shumë se një vit më parë.

Të ardhurat nga administrata doganore u realizuan në vlerën 239,7 miliardë lekë, 4,4% më shumë se në vitin 2024 dhe në masën 98,2% të planit. TVSH-ja në import arriti në 158,7 miliardë lekë  me rritje 2,8%, ndërsa të ardhurat nga akciza u realizuan në 69,6 miliardë lekë me rritje 9,7%.

Tatimi mbi fitimin u realizua në 58,5 miliardë lekë me rritje 2,7%, ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 82,5 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 24,7% krahasuar me vitin 2024. Taksat nacionale u realizuan në 46,9 miliardë lekë, 5,1% më shumë se një vit më parë dhe 4% mbi planin.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 178,2 miliardë lekë, 10,7% më shumë se në vitin 2024 dhe 100,8% e planit të periudhës.

Sa i përket shpenzimeve, shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2025 arritën në rreth 801,7 miliardë lekë, me realizim 97,2% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 96,4% të planit të ndryshuar. Krahasuar me vitin 2024, shpenzimet rezultojnë 10% më të larta, ose rreth 73,1 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korrente arritën në 653,5 miliardë lekë, 7,8% më shumë se në vitin 2024, ndërsa shpenzimet kapitale u realizuan në 131,6 miliardë lekë, me një rritje prej 13,4% krahasuar me një vit më parë.