Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë theksoi se “duke përfaqësuar 270 kompani anëtare që gjenerojnë gati 25 për qind të PBB-së së Shqipërisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një urë e rëndësishme midis investitorëve amerikanë dhe Shqipërisë, si dhe një motor për rritjen ekonomike”.

Ambasada amerikane njoftoi më tej se “e ngarkuara me punë Nancy VanHorn iu bashkua dje Dhomës Amerikane për të diskutuar strategjinë e tyre për rritjen e eksporteve dhe investimeve amerikane dhe krijimin e kushteve të barabarta për të tërhequr më shumë biznese amerikane në Shqipëri”.

Takimi u zhvillua në vijim të angazhimeve që synojnë forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes AmCham dhe Ambasadës së SHBA-së, si dhe përforcimin e objektivit të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

AmCham rikonfirmoi qëndrimin e saj se forcimi i kuadrit të investimeve në Shqipëri duhet të përqendrohet në ndërtimin dhe promovimin e procedurave transparente, efikase dhe të parashikueshme për investitorët e huaj. Garantimi i sigurisë ligjore dhe qartësisë rregullatore mbetet thelbësor për rritjen e besimit të investitorëve dhe për pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion i besueshëm për investime ndërkombëtare cilësore.