Ministri gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer propozoi sot që platforma e medieve sociale në pronësi kineze, TikTok të vendoset në duart e kompanive evropiane duke përmendur edhe shqetësimet në lidhje me sovranitetin e të dhënave dhe rrjedhën e tyre.

“Kur bëhet fjalë për TikTok-un, besoj se duhet të bëjmë pyetjen e pronësisë, ashtu si amerikanët”, tha Weimer, portofoli i të cilit mbulon edhe median, gjatë një diskutimi në panel në një konferencë editoriale të organizuar nga dpa.

“Evropa duhet të gjejë një përgjigje për këtë pyetje. Kush e zotëron TikTok-un dhe a nuk duhet ta vendosim atë në duart e evropianëve, në marrëveshje me ByteDance?”, shtoi ai.

Suksesi i aplikacionit të njohur të videove TikTok ka shkaktuar shqetësim të përhapur për aksesin e mundshëm kinez në të dhënat e qytetarëve ose ndikimin në opinionin publik.

Muajin e kaluar, biznesi amerikan i TikTok-ut u transferua zyrtarisht në një sipërmarrje të përbashkët të sapokrijuar, pasi një ligj i vitit 2024 urdhëroi pronarin e saj ByteDance të shiste operacionet e aplikacionit në SHBA ose ta hiqte atë nga lidhja me rrjetin deri më 19 janar 2025.

Presidenti amerikan Donald Trump dha vazhdimisht zgjatje të afatit pasi mori detyrën një vit më parë.

ByteDance me seli në Pekin mban një pjesëmarrje prej pak më pak se 20% në TikTok USDS.

”Platforma si TikTok kanë qasje në të dhëna në një shkallë që ishte e paimagjinueshme një brez më parë, duke përfshirë të dhënat më intime të brezave të tërë”, tha Weimer në Berlin duke shtuar se autoritetet nuk duhet të lejojnë që këto të dhëna të përfundojnë sistematikisht në duart e një vendi tjetër.

Weimer ka kërkuar një taksë për kompanitë e mëdha të internetit si Google dhe kompania mëmë e Facebook, Meta.

Sipas planeve, ata do të duhet të paguajnë 10% të të ardhurave të tyre nga reklamat për të balancuar fitimet masive që platformat kryesore bëjnë në Evropë për shkak të dominimit të tyre në treg.