Prodhuesit gjermanë të makinave kanë regjistruar kohët e fundit një rënie të ndjeshme të shitjeve në Kinë. Përveç markave të reja vendase të makinave elektrike, të subvencionuara fuqishëm, ndikim ka pasur edhe një taksë e re luksi për makinat e shtrenjta, e cila prek kryesisht markat gjermane.

“Ne presim gjithashtu që Kina të paraqesë propozime konstruktive për reduktimin e shtrembërimeve të konkurrencës”,  tha Muller.

Kreu i VDA-së paralajmëroi kundër provokimit të kundërpërgjigjeve me rregullore të reja të BE-së, si dhënia e përparësisë makinave evropiane në prokurimet publike, subvencionet për blerje apo vendosja e tarifave doganore.

“Edhe nëse Kina po thirret tani të bëjë oferta, Evropa duhet të peshojë me kujdes veprimet dhe reagimet përkatëse. Në varësi të vendimeve, industria vendase mund të përballet me kundërmasa nga Kina”, shtoi ajo.

Merz pritet të udhëtojë javën e ardhshme në Kinë për bisedime mbi marrëdhëniet politike dhe ekonomike, si dhe çështje sigurie. Kjo do të jetë vizita e tij e parë në vend që nga marrja e detyrës.

Tensionet tregtare mes Berlinit dhe Pekinit vazhdojnë, veçanërisht lidhur me metalet e rralla, lëndë të para kritike të përdorura në produkte si telefonat celularë dhe motorët elektrikë.

Prodhuesit gjermanë dhe evropianë kanë raportuar mungesa të këtyre materialeve, të lidhura me politikat kufizuese tregtare të Kinës.

Merz do të shoqërohet nga një delegacion biznesi dhe pritet të marrë pjesë edhe në një takim të Komitetit Këshillimor Ekonomik gjermanokinez. Sipas raportimeve, ai planifikon të vizitojë edhe Qytetin e Ndaluar dhe kompaninë “Mercedes-Benz Group” në Pekin.