Mbajtësi i rekordit të “Guinness World Records”, Bobi, një “Rafeiro do Alentejo” i racës së pastër, u nda nga jeta në shtëpinë e tij në Portugali në vitin 2023.

Vdekja e tij u njoftua në rrjetet sociale nga një veterinere që e kishte takuar Bobin disa herë.

“Pavarësisht se jetoi më gjatë se çdo qen tjetër në histori, 11,478 ditët e tij në tokë nuk do të ishin kurrë të mjaftueshme për ata që e donin,” shkroi Dr. Karen Becker.

Bobi u bë qeni më i vjetër në botë që ishte ende gjallë – duke thyer rekordin gati një shekullor.

Qeni më i vjetër, i regjistruar para tij, ishte Bluey nga Australia, i cili vdiq në vitin 1939 në moshën 29 vjeç e pesë muaj.

Mosha shumë e vjetër e Bob u verifikua nga databaza e kafshëve shtëpiake e qeverisë portugeze, e cila menaxhohet nga Unioni Kombëtar i Veterinerëve.

Identiteti i pasardhësit të Bobit për titullin e “qenit më të vjetër në botë” që është gjallë, nuk është zbuluar ende.

Bobi jetoi gjithë jetën e tij me familjen Costa në fshatin Conqueiros, pranë bregdetit perëndimor të Portugalisë.

Leonel Costa, i cili ishte tetë vjeç në atë kohë, tha se prindërit e tij kishin shumë kafshë dhe duhej t’i vinin në gjumë këlyshët, por Bobi arriti të shpëtonte.

Costa dhe vëllezërit e tij e mbajtën të fshehtë ekzistencën e qenit nga prindërit – derisa ai u zbulua përfundimisht dhe u bë pjesë e familjes, të cilin e ushqenin me të njëjtin ushqim që hanin vetë.

Përveç një momenti të vështirë në vitin 2018, kur Bob u shtrua në spital pasi u rrëzua papritur për shkak të problemeve në frymëmarrje, Costa tha se qeni i tij kishte pasur një jetë relativisht pa probleme dhe mendonte se sekreti i jetëgjatësisë së tij ishte “mjedisi i qetë dhe paqësor” në të cilin jetonte.

Megjithatë, para vdekjes ai kishte hasur vështirësi në ecje dhe përkeqësim të shikimit.

Bobi nuk ishte i vetmi qen i Costa që jetoi gjatë.

Nëna e Bobit jetoi deri në moshën 18 vjeç, ndërsa një tjetër qen i familjes vdiq në moshën 22 vjeç.