Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, raporti borxh/PBB ka zbritur nga 70,03% në vitin 2014 në 54,21% në vitin 2024 dhe 53,04% në vitin 2025 (të dhëna paraprake deri më 31 dhjetor 2025). Ulja e këtij treguesi sinjalizon se ekonomia është rritur me ritme më të shpejta se borxhi, duke forcuar balancat fiskale.

Në të njëjtën kohë, vihet re rënie e kostos së financimit. Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka zbritur nga 4,56% në vitin 2024 në 4,23% në vitin 2025, ndërsa kostoja mesatare e borxhit të jashtëm ka rënë nga 3,70% në 3,53%.

Financimi me norma më të ulëta interesi kontribuon në optimizimin e shpenzimeve për shërbimin e borxhit.

Edhe struktura e portofolit paraqitet më e balancuar.

Borxhi i brendshëm përbën 59,4% të totalit, ndërsa borxhi i jashtëm 40,6%. Pesha e borxhit në valutë të huaj ka rënë në rreth 40%, nga rreth 42% më parë, duke reduktuar ekspozimin ndaj rrezikut valutor.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është zgjatja e maturimit mesatar të borxhit të brendshëm, i cili ka arritur në 2,8 vite (1002 ditë) në vitin 2025, nga 1,7 vite (630 ditë) në vitin 2014 dhe 2,6 vite (923 ditë) në vitin 2024.