Referuar raportit mbi tregtinë e jashtme, publikuar nga INSTAT-i, rënia u ndikua kryesisht nga grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, i cili dha efektin më të madh negativ me 2,9 pikë përqindje.
Në ulje kontribuan gjithashtu grupi “tekstile dhe këpucë” me 1,8 pikë përqindje dhe “produkte kimike dhe plastike” me 0,4 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, eksportet e grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rritën, duke dhënë një kontribut pozitiv prej 1,4 pikë përqindje, ndërsa eksportet e grupit “lëkurë dhe artikujt prej tyre” ndikuan me 0,1 pikë përqindje.
Importet arritën në 57,9 miliardë lekë, duke u ulur me 4,0% në krahasim me një vit më parë dhe me 27,5% krahasuar me dhjetorin 2025.
Tkurrja vjetore u ndikua kryesisht nga rënia e importeve të grupit “materiale ndërtimi dhe metale” me 2,1 pikë përqindje, grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 2 pikë përqindje dhe grupit “produkte kimike dhe plastike” me 1,5 pikë përqindje.
Në të kundërt, grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” shënoi rritje, duke dhënë kontribut pozitiv prej 2,1 pikë përqindje.
Si rezultat i kësaj ecurie, deficiti tregtar për janarin zbriti në 31,1 miliardë lekë, 3,6% më pak se një vit më parë dhe 41,3% më pak se në dhjetor 2025, duke reflektuar një ngadalësim më të fortë të importeve krahasuar me eksportet.
Sa i përket partnerëve tregtarë, eksportet drejt Italisë dhe Kosovës shënuan rënie krahasuar me janarin e kaluar, përkatësisht me 3,6% dhe 2%, ndërsa rritje të ndjeshme u regjistruan me Gjermaninë me 30,2% dhe Greqinë me 31,8%.
Në importe, rënia më e madhe u shënua me Italinë me 10,3% dhe Greqinë me 3,3%, ndërsa importet nga Kina dhe Turqia u rritën përkatësisht me 1,8% dhe 13,5%.
Vendet e Bashkimi Evropian vijojnë të mbeten partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke zënë 55,4% të shkëmbimeve totale. Në janar, 74,1% e eksporteve shqiptare u drejtuan drejt vendeve të BE-së, ndërsa 46,8% e importeve u siguruan nga këto vende





