Turizmi vijoi të japë sinjale pozitive edhe në fund të vitit 2025.
Referuar raportit të publikuar sot nga INSTAT-i, në muajin dhjetor vërehet rritje e ndjeshme e vizitorëve dhe netëqëndrimeve në strukturat akomoduese në vend.
Sipas statistikave zyrtare, numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 27,2% krahasuar me dhjetorin e 2024-ës. Rritja u ndikua kryesisht nga vizitorët jorezidentë, të cilët shënuan një rritje prej 47,6%. Ndërsa vizitorët rezidentë u rritën me 3,8%.
Edhe netëqëndrimet regjistruan ecuri pozitive. Në total ato u rritën me 26,2%. Netëqëndrimet nga të huajt u rritën me 39,2%, ndërsa ato nga rezidentët me 8,7%. Këto shifra tregojnë jo vetëm rritje të numrit të turistëve të huaj, por edhe qëndrime më të zgjatura në strukturat pritëse.
Rritja e vizitorëve jorezidentë u shtri si në zonat jobregdetare, me 37,2% rritje, ashtu edhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme, me 47,6% rritje. Kjo tregon një shpërndarje më të balancuar të fluksit turistik edhe përtej sezonit veror dhe zonave bregdetare.
Sipas vendit të rezidencës, në dhjetor 2025 pjesën më të madhe të vizitorëve të huaj e zunë italianët me 25% të totalit. Kosova renditet e dyta me 16%, ndërsa Gjermania me 6%. Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuan me nga 4% secila. Pjesa tjetër, rreth 45%, përbëhet nga vizitorë nga vende të tjera.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 20,4%, nga 18,1% që ishte në dhjetor të 2024-ës, duke reflektuar rritjen e kërkesës për akomodim.
Ecuria e muajit dhjetor mbyll një vit me performancë pozitive për sektorin e turizmit, duke forcuar rolin e tij si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit.
Në vitin 2025, në Shqipëri hynë një numër rekord prej 12.5 milionë të huajsh





