Një vendim historik i Gjykatës së Lartë të Bruklinit po ndryshon mënyrën se si ligji i sheh kafshët shtëpiake në Nju Jork, sipas “Time Out”.
Gjyqtari Aaron Maslow ka deklaruar se qentë nuk konsiderohen më thjesht pronë, por mund të trajtohen si “anëtarë të familjes” në raste të caktuara ligjore.
Vendimi vjen pas një ngjarjeje tragjike në vitin 2023, kur një qen i quajtur Duke u përplas për vdekje nga një makinë ndërsa po shëtiste me nënën e pronarit të tij në zonën “Mill Basin”, sipas “New York Post”.
Padia u ngrit nga Trevor DeBlase dhe nëna e tij, Nan, të cilët sfiduan statusin ligjor tradicional të kafshëve shtëpiake në çështjet e vdekjes së padrejtë dhe dëmit emocional.
Deri më tani, kafshët trajtoheshin si pasuri personale, çka nënkuptonte se dëmshpërblimi kufizohej vetëm në vlerën monetare të tyre – pra, çmimin e blerjes, dhe jo dhimbjen e pallogaritshme që linte humbja e tyre.
“Nuk shoh arsye pse një kafshë shoqëruese e dashur të mos konsiderohet “familje”, shkroi gjyqtari Maslow në vendimin e tij, duke i hapur rrugë familjes DeBlase të kërkonte kompensim – që zakonisht rezervohet për ata që përjetojnë vdekjen ose plagosjen e një të afërmi të ngushtë.
Organizatat për të drejtat e kafshëve e kanë mirëpritur vendimin si një hap të rëndësishëm përpara.
Organizata “Nonhuman Rights Project”, e cila paraqiti dokumente mbështetëse në këtë çështje, e cilësoi vendimin si “një hap të vogël, por të rëndësishëm drejt njohjes se kafshët nuk janë thjesht pronë – por individë që kanë rëndësi”.
Në arsyetimin e tij, gjyqtari theksoi se shoqëria dhe ligji po e njohin gjithnjë e më shumë rolin e kafshëve si pjesë e familjes – nga krijimi i fondeve për to, te vendimet për kujdestarinë në rastet e divorcit, si dhe fakti që shumë linja ajrore dhe hotele i trajtojnë ato si mysafirë të mirëpritur.
Vendimi shënon një moment të ri në debatin mbi statusin ligjor të kafshëve shtëpiake – dhe për shumë pronarë, është një konfirmim se dashuria për një qen nuk është thjesht ndjenjë, por lidhje familjare.





