Kanxheri është aktor, regjisor dhe pedagog, me një kontribut të gjatë në artin e mësimdhënies. I diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, ai e nisi karrierën në Radio Tirana me radiodramat, për të vijuar më pas si regjisor në Televizionin Shqiptar dhe më vonë si pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit në Akademinë e Arteve.

Në kinematografi është dalluar me rolet të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut, si në filmat: “Malet me blerim mbuluar” 1971, “Yjet e netëve të gjata” 1972, “Shtigje lufte” 1974, “Në fillim të verës” 1975, “Çifti i lumtur” 1975, “Tokë e përgjakur” 1976, “Vdekja e burrit” 1991, “Vdekja e kalit” 1992, “Parrullat” 2000, “Natë pa hënë” 2001, “I dashur armik” 2004, “Trishtimi i zonjës Shnajder” 2008, “Farmakon” 2012 dhe shumë role të tjerë, ku përveç roleve kryesore ka ndërtuar mjeshtërisht edhe role karakteri.

Krahas filmit, ka lënë gjurmë edhe në teatër me interpretime të fuqishme dhe të vlerësuara: “Hilet e Natës” 1974, “Një shok i klasës sime” 1975, “Duke pritur Godonë” 1993, “Rinoqeronti” 1998, “Shtrëngata” 1998, “Babai” 2002, “Euridita” 2017, “12 burra të zemëruar” 2025.

Me një karrierë të pasur dhe titullin “Profesor”, Niko Kanxheri mbetet një figurë e respektuar e artit shqiptar dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve.