Giordano Bruno, i cili u dogj i gjallë më 17 shkurt 1600 në sheshin Campo de’ Fiori, në zemër të Romës, me urdhër të Inkuizicionit Romak.
I akuzuar për herezi, Bruno u arrestua në vitin 1592 dhe qëndroi për tetë vite në burgjet e Inkuizicionit, ku iu nënshtrua presioneve të vazhdueshme për të hequr dorë nga idetë e tij. Atij madje iu ofrua ti shpëtohej edhe jeta në këmbim të mohimit të bindjeve, por ai refuzoi.
Filozof dhe mendimtar novator, Bruno kishte udhëtuar nëpër Evropë duke përhapur koncepte që për kohën konsideroheshin revolucionare: idenë e një universi të pafund, ekzistencën e shumë botëve dhe një vizion kozmologjik që sfidonte doktrinën tradicionale aristoteliano-ptolemaike. Këto pikëpamje, së bashku me qëndrimet e tij teologjike, e vunë në përplasje të drejtpërdrejtë me autoritetet kishtare.
Sipas kronikave të kohës, në momentin e shpalljes së dënimit me vdekje ai u tha gjykatësve: “Ndoshta ju dridheni më shumë duke shqiptuar këtë vendim, sesa unë duke e dëgjuar atë.”
Më 17 shkurt 1600, ai u lidh në turrën e druve dhe u dogj publikisht. Dënimi synonte të shërbente si paralajmërim kundër mendimit ndryshe, por me kalimin e shekujve figura e tij u kthye në simbol të lirisë së mendimit dhe të kërkimit intelektual të pavarur.
Sot, në vendin ku u ekzekutua, një monument e përkujton si një nga figurat më të rëndësishme dhe më të debatueshme të filozofisë evropiane. Trashëgimia e tij vijon të studiohet dhe të diskutohet, si dëshmi e fuqisë së ideve që nuk mund të shuhen nga flakët.





