Një sërë studimesh të viteve të fundit po rikthejnë vëmendjen te ideja se muzika klasike mund të përmirësojë ndjeshëm përqendrimin, duke ringjallur edhe një herë debatin rreth të ashtuquajturit “Efekti Mozart” – fenomeni sipas të cilit dëgjimi i veprave të kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart ndihmon në aktivizimin e zonave të trurit që lidhen me të mësuarit dhe fokusin.
Sipas specialistëve, ritmet e rregullta, harmonitë e pastra dhe mungesa e shpërqendrimeve vokale janë ndër faktorët që e bëjnë muzikën klasike një mjet efektiv për të rritur vëmendjen, sidomos gjatë studimit apo punës intelektuale.
Ekspertët theksojnë se dëgjimi i kompozimeve të qeta, si sonata apo adagio, ndihmon në uljen e stresit dhe në rritjen e kapacitetit të përpunimit të informacionit.
“Ndonjëherë, për të menduar më mirë, mjafton të dëgjosh më mirë” – shprehen studiuesit, duke nënvizuar se muzika e zgjedhur me kujdes mund të shndërrohet në një aleat të rëndësishëm të produktivitetit dhe mirëqenies mendore.





