Sheshi “Isa Boletini” në Shkodër ka marrë një pamje tërësisht të re pas përfundimit të punimeve rehabilituese, duke u kthyer në një hapësirë të gjelbër, të hapur dhe funksionale për qytetarët.

Pas prishjes së objekteve që kishin zaptuar hapësirën publike, sheshi tashmë ofron më shumë frymëmarrje urbane dhe një organizim më të rregullt, në shërbim të komunitetit.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci duke sjellë pamje nga sheshi, vlerësoi se pas lirimit të hapësirave publike dhe investimit të realizuar, sheshi ka kaluar nga një zonë e ngarkuar dhe e zaptuar në një hapësirë të rregullt, funksionale dhe estetikisht të balancuar.

“Ndërhyrja në pallatin me hark, me fasada të termoizoluara, dritare të reja dhe trajtim të plotë të komponentëve arkitektonikë, ka sjellë jo vetëm përmirësim të kushteve të jetesës për banorët, por edhe një imazh më të pastër e dinjitoz për të gjithë zonën”, theksoi Beci.

Sot sheshi, shtoi Beci, ka më shumë frymëmarrje urbane, më shumë rregull dhe një prezantim që reflekton respekt për hapësirën publike dhe identitetin e qytetit.

Ndërkohë që shumë shpejt bashkia e Shkodrës do të nisë edhe rehabilitimin e bllokut të pallateve në Rrugën e Tafiliceve, në zonën e Dërgutit. Kjo ndërhyrje synon të ndryshojë realisht përditshmërinë e banorëve, duke i dhënë kësaj zone më shumë rend, funksionalitet dhe estetikë.

Bashkia do të investojë në hapësirat publike, në aksesin, gjelbërimin dhe ambientet e përbashkëta, për ta kthyer këtë bllok pallatesh në një hapësirë më të jetueshme, më dinjitoze dhe më miqësore për komunitetin.

Në të gjithë territorin e vendit gjatë vitit të kaluar u liruan një sërë hapësirash publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i parapriu zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.