Përmes këtij programi, pjesëmarrësit do të eksplorojnë rolin e sportit në parandalimin e dhunës, forcimin e kohezionit social, thyerjen e paragjykimeve dhe promovimin e paqes dhe bashkëjetesës në rajon”.

Nga shkollat e përzgjedhura, tre vijnë nga Shqipëria dhe ato janë gjimnazi “Shyqri Lakra”, Berat, shkolla e mesme “Ali Demi”, Vlorë dhe shkolla e mesme profesionale “Çerik”, Çerik.

Sipas RYCO-s, ajo që i veçon këto shkolla nga pjesëmarrësit e tjerë të “supershkollave” është fokusi i tyre në metodologjinë Sport për Zhvillim (Sport for Development – S4D). Kjo qasje përdor sportin si një mjet të fuqishëm për trajtimin e temave shoqërore me rëndësi, duke qenë një metodë argëtuese, e aksesueshme dhe me kosto të ulët, por njëkohësisht shumë efektive.

“Për t’u përgatitur për zbatimin e kësaj qasjeje inovative, 24 mësues nga këto shkolla do të marrin pjesë në një trajnim 5-ditor për S4D, i cili u zhvillua në Tiranë, nga 27 deri më 31 janar 2026. Shkëmbimet janë pjesë e programit RYCO “supershkollat” dhe do të zhvillohen në dy raunde gjatë vitit 2026”, thuhet në njoftim.

RYCO Superschools është një program shkëmbimi shkollash në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6), me synim mbështetjen e procesit të pajtimit dhe ndërtimit të paqes, si dhe nxitjen e të mësuarit ndërkulturor dhe dialogut mes shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre.

Programi është pjesë e një projekti shumëdonatorësh, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) në bashkëpunim me RYCO.