Në të gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, ka nisur një operacion policor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe. Policia e Shtetit bën të ditur se, deri në këto momente, në të gjithë vijën bregdetare, janë shoqëruar, në pikat e posaçme të bllokimit, nga Ksamili në Velipojë, rreth 90 mjete lundruese “Jet ski” dhe rreth 40 mjete të tjera lundruese. Të përfshira në operacion janë Policia Kufitare, Delta Forcë, Policia e Rendit, Forcat “Shqiponja” dhe Policia Kriminale. Gjithashtu në operacion janë përfshirë Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar dhe Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit. Operacioni drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, i cili ndodhet në Dhërmi, duke monitoruar zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë plan operacional.
130 mjete lundruese të bllokuara nga Ksamili në Velipojë
RELATED ARTICLES