Presidenti francez Emmanuel Macron ka ndezur debate në të gjithë botën me syzet e tij ikonike të diellit, të cilat i ka mbajtur në të gjitha takimet gjatë dy javëve të fundit.
Paraqitja e tij me syze aviatori me pasqyrë në Forumin Ekonomik Botëror në resortin alpin zviceran të Davosit, në veçanti, e katapultoi atë në faqet e para të shumë gazetave.
Megjithatë, Macron, tani, për herë të parë që nga mesi i janarit, ka marrë pjesë në një takim pa syze, të cilat ai shpjegoi se ishin mbajtur për shkak të një gjendjeje të padëmshme shëndetësore të syve.
Në një pritje për kryeministrin sllovak Robert Fico, i zhvilluar sot, Macron u paraqit përsëri pa syze dhe me sy jo të skuqur.
Pallati Elize nuk deshi të komentonte kur u pyet nëse problemet me sytë tani janë shëruar plotësisht.
Një ditë më parë, Macron kishte mbajtur syzet e diellit të errëta në pritjen për kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Groenlandës Jens Frederik Nielsen, gjë që kishte shkaktuar shaka në mediat sociale.
Edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump ishte tallur me “syzet e bukura të diellit” në forumin ekonomik.
“Çfarë dreqin ndodhi?” pyeti Trump.
Megjithatë, komentuesit sugjeruan se me syzet, Macron u shfaq edhe më luftarak gjatë fjalimit të tij që ishte kritik ndaj SHBA-së.
Sidoqoftë, zgjedhja e syzeve nga Macron ka ofruar një reklamë të papritur për prodhuesin e vogël francez të syzeve luksoze, me çmim 659 euro (788 dollarë).
Ndonjëherë, dyqani online i markës ”Henry Jullien” ishte plotësisht i paarritshëm dhe kompania mezi përballonte pyetjet.
Prodhuesi i syzeve publikoi shpejt një reklamë me një foto të Macron.
Ndërkohë, në Francë ka shpërthyer një debat nëse syzet e presidentit janë vërtet “të prodhuara në Francë” apo nëse skeleti i tyre vjen nga kompania mëmë italiane që mori përsipër prodhuesin.





