Maja e Hekurave ndodhet në Alpet Shqiptare në rrethin e Tropojës, me lartësi 2561 metra dhe shtrihet në lartësitë e luginës së Valbonës.
Cirqet e shumta akullnajore, që shtrihen gati në të gjitha anët i kanë dhënë majës një formë të mprehtë piramidale.
Zona përreth ruan ende natyrën e paprekur, biodiversitetin e pasur dhe traditat karakteristike të Tropojës. Vizitorët kanë mundësi të kombinojnë aventurën alpine me ecje në shtigje malore, eksplorim të faunës e florës dhe njohje me kulturën dhe traditën shqiptare.
E vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, Maja e Hekurave në Tropojë është një nga destinacionet më mbresëlënëse për dashamirësit e turizmit malor dhe ata të aventurës, por edhe nga më sfidueset.
E mbuluar nga dëbora këtë janar, Maja e Hekurave ka një pamje spektakolare, duke ofruar një përvojë unike për alpinistët, por edhe për adhuruesit e maleve që shohin pamjet e përcjella prej tyre.





