Ky projekt synon krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive, veçanërisht për ekipet vendase dhe moshat e reja.

Me nisjen zyrtare të punimeve, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi nga afër procesin e rikonstruksionit gjatë një vizite në Gramsh, ku u prit nga Kryetari i Bashkisë, Besion Ajazi. Gjatë inspektimit, Presidenti Duka u njoh në detaje me projektin, i cili parashikon rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ndërtimin e tribunës së re, modernizimin e ambienteve ndihmëse, si edhe instalimin e tapetit me bar artificial në fushën e stadiumit “Myslim Koçi”, duke e përshtatur atë me standardet bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Presidenti Duka vlerësoi projektin për stadiumin e Gramshit, duke e cilësuar si një impiant modest, por modern, që plotëson standardet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare të nivelit të dytë.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi Bashkinë Gramsh për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të futbollit në çdo qytet të Shqipërisë.